Kërkesat për Leje Drejtimit të Kategorive A1, A2, B1, B

Mosha minimale - 18 vjeç

Mosha maksimale – leje drejtimi A1 - A2 - B1 - B është e vlefshme për:
  • 10 vjet për personat me moshë deri në 50 vjeç;
  • 5 vjet për personat me moshë 50 deri në 70 vjeç;
  • 3 vjet për ata që e kanë kaluar moshën 70 vjeç;
  • 1 vit për ata që e kanë kaluar moshën 80 vjeç;

Leje drejtimi e njërës prej kategorive A1 - A2 - B1 - B merret me provim teorie dhe provë praktike për rastet e pajisjes me leje drejtimi për herë të parë. 

Për informacione më të detajuara mbi dokumentet e nevojshme për drejtim mjeti që duhet të shoqërojnë lejedrejtimin kombëtare kur udhëtoni në shtete të huaja të cilat nuk aderojnë në Konventën e Vjenës “Mbi qarkullimin rrugor” është i nevojshëm konsultimi me faqen zyrtare të shtetit që do të vizitoni apo me përfaqësinë diplomatike të atij shteti të vendosur në Republikën e Shqipërisë.

Mjetet që mund të drejtohen me Leje Drejtimi të kategorisë A1 – A2 – B1 - B

Kategoria A1:

  • Motor pa kosh (kategoria L3) me cilindratë deri 125 cm³ dhe fuqi max deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1 kw/kg;
  • Motor me kosh (kategoria L4) me cilindratë deri 125 cm³ dhe fuqi max deri 11 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.1 kw/kg;
  • Tricikël (motomjete me tri rrota, simetrike ndaj aksit gjatësor, kategoria L5), me fuqi deri 15 kw;
  • Makina bujqësore dhe komplekset e mjeteve bujqësore që nuk i kalojnë kufijtë e përcaktuar në nenin 53, pika 4, të Kodit Rrugor (gjerësia: 1.6 m, gjatësia: 4 m, lartësia 2.5 m, masa maksimale e autorizuar me ngarkesë: 2.5 tonë, shpejtësia: 40 km/orë).

Kategoria A2:

  • Motor pa kosh (kategoria L3), me fuqi maksimale deri 35 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg dhe që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij;
  • Motor me kosh (kategoria L4) me fuqi maksimale deri 35 kw, me raport fuqi/peshë jo më shumë se 0.2 kw/kg dhe që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij.

Kategoria B1:

  • Motomjete me katër rrota, të ndryshëm nga ata AM, masa pa ngarkesë e të cilave është më e vogël ose e barabartë me 400 kg ose 550 kg për mjetet e destinuara për transport mallrash (kategoria L7), përjashtuar masën e baterive për mjetet elektrike, të cilat fuqinë maksimale neto të motorit e kanë më të ulët ose të barabartë me 15 kw.
  • Mjete të tjera që konsiderohen motomjete me tri rrota simetrike ndaj aksit gjatësor (të kategorisë L5).

Kategoria B:

  • Automjete me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3500 kg dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një gjysmërimorkio, që nuk e kalon masën maksimale të autorizuar 750 kg.
  • Motomjete me tri rrota simetrike ndaj aksit gjatësor, me fuqi më të madhe se 15 kw;
  • Motomjete të kategorisë A1, me kusht që mbajtësi i leje drejtimit të jetë të paktën 21 vjeç;
  • Makinat bujqësore;
  • Makinat teknologjike.

Regjistrimi për përgatitjen teorike dhe për provën e teorisë të kategorisë A1, A2, A

Dokumentet e kandidatit

Përfaqësuesi ligjor i autoshkollës paraqitet pranë DRSHTRR-së nën juridiksionin e së cilës ndodhet autoshkolla për regjistrimin të kandidatit për përgatitjen teorike dhe për provën e teorisë, plotëson kërkesën për kryerje shërbimi dhe dorëzon dokumentet e kandidatit:
  • Fotokopje të dokumentit të identifikimi të vlefshëm, e njehsuar me origjinalin me vulën e autoshkollës (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë dhe lejeqëndrimi të vlefshme) së bashku me fotokopjen; Për shtetasit e huaj kërkohet kopje e noterizuar dhe e përkthyer e pasaportës si dhe kopje e noterizuar e lejeqëndrimit;
  • Certifikatë mjekësore me fotografi, që vërteton aftësinë shëndetësore për të drejtuar mjetin rrugor, të kategorisë përkatëse, të lëshuar jo më përpara se gjashtë muaj nga data e paraqitjes së kërkesës;
  • Mandat pagesën për lëshimin e “LEJE”-s, për regjistrim dhe për prova teorie. Tarifa e shërbimit është 1000 lekë (500 lekë – regjistrimi dhe 500 lekë – provimi i teorisë);
  • Fotokopje leje drejtimi e njehsuar me origjinalin me vulën e autoshkollës (për rastet kur aplikon për shtesë kategorie).

DRSHTRR lëshon “LEJE-n”, me afat vlefshmërie 6 muaj nga data e lëshimit. Brenda këtij afati kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e teorisë, jo më afër se 10 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin.

Në rast se kandidati nuk fiton provimin e teorisë brenda 6 muajve apo pas 5 herëve paraqitje në provimin e teorisë, atëherë ai ka të drejtën e regjistrimit në autoshkollë nga e para.

Para çdo riprovimi kryhet pagesa e tarifës së shërbimit prej 400 lekë.

Provimi i teorisë

Provimi i teorisë është i informatizuar

  • Numri i pyetjeve – 30 ,per kategorite A1,A2,A dhe 40 per ketegorine B
  • Numri i gabimeve të lejuara – 3, per kategorite A1,A2,A dhe 4 per ketegorine B
  • Koha maksimale – 30 minuta. per kategorite A1,A2,A dhe 40 min per kategorine B

Dokumentet

Kandidati që ka kryer programin e plotë të përgatitjes teorike për kategorinë e kërkuar, dhe ka plotësuar afatet kohore, paraqitet pranë komisionit të testimit në DRSHTRR ku është e regjistruar autoshkolla me dokumentet:
  • Dokument identifikimi të vlefshëm (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë dhe leje qëndrimi të vlefshme);
  • “LEJE”-n, që vërteton kryerjen e kursit të njohurive teorike;
  • Dëshminë për kryerjen e kursit të ndihmës së shpejtë të lëshuar nga Kryqi i Kuq Shqiptar ose fotokopjen e saj të nënshkruar nga sektori përkatës i DRSHTRR-së, pasi verifikohet me orgjinalin. Kjo dëshmi kërkohet vetëm në rastet e pajisjes me lejedrejtimi për herë të parë.

Shënim: Përjashtohen nga kryerja e kursit të trajnimit për dhënien e ndihmës së shpejtë mjekësore në rast aksidenti rrugor të gjithë personat që kanë kryer studimet e larta në Degët Mjekësi apo Infermieri.

Në këto raste kërkohet fotokopje e diplomës e nënshkruar nga urdhri përkatës (urdhri i mjekut dhe urdhri i infermierit).

Personat me aftësi të kufizuara në dëgjim, që plotësojnë kushtet e përcaktuara sipas nenit 306 të VKM-së nr. 153, datë 7.4.2000, të ndryshuar, në provimin e teorisë, kanë të drejtë të marrin një interpretues të gjuhës së shenjave shqipe, të certifikuar nga autoriteti përkatës.

Provimi i teorisë zhvillohet me aparat komunikimi audio për personat që kanë kufizime në leximin e gjuhës së shkruar.

Prova e praktikës

Dokumentet e kandidatit

Kandidati që ka kryer programin e plotë të ushtrimit të drejtimit të mjetit, për kategorinë e kërkuar, dhe ka plotësuar afatet kohore, nga data e marrjes së Autorizimit për provën e verifikimit të aftësive drejtuese dhe sjelljes, paraqitet në DRSHTRR pranë komisionit përkatës të marrjes në prova së bashku me instruktorin e praktikës me të cilin ka kryer përgatitjen dhe me mjetin e marrjes në prova praktike, me dokumentet:
  • Dokument identifikimi të vlefshëm (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë dhe leje qëndrimi të vlefshme);
  • “AUTORIZIM” i vlefshëm, që vërteton kryerjen e kursit të ushtrimit të drejtimit të mjetit.

 

Kohëzgjatja e provimit të aftësive drejtuese e të sjelljes është 25 minuta

Koha e përmendur nuk përfshin kohën përgatitore për kandidatin, automjetin, kontrollin teknik të automjetit me ndikim për sigurinë rrugore, manovrat e veçanta dhe shpalljen e rezultatit të testit praktik.

Për leje drejtimi të kategorive “A1”, “A2”, “B1”, “B”, do të kryhen prova praktike sipas autorizimit përkatës “A1”, “A2”, “B1”, “B”) dhe lidhjes 4 të Udhëzimit të MIE-së nr. 9, datë 14.04.2022 “Mbi aktivitetin e autoshkollave”.

Instruktori i praktikës duhet të jetë prezent në mjet gjatë ushtrimit të provave të praktikës, përveç mjeteve të kategorisë “AM”, “A1”, “A2” dhe “A”.

Shënim: Instruktori i praktikës dhe mjeti duhet të jenë të pajisur me dokumentacionin përkatës të vlefshëm.

Aplikimi për leje drejtimi

Dokumentet që do dorëzohen:

Kandidati fitues i provimit të praktikës paraqitet pranë DRSHTRR-së ku është shpallur fitues ose pranë DRSHTRR-së ku ka vendbanimin, plotëson kërkesën për kryerje shërbimi dhe dorëzon:
  • Dokument identifikimi të vlefshëm së bashku me fotokopjen (kartë identiteti dhe, për shtetasit e huaj, pasaportë dhe leje qëndrimi të vlefshme); dokumenti origjinal i kthehet pas identifikimit;
  • Mandat pagesën e tarifës së pajisjes me leje drejtimi (taksa e buxhetit të shtetit) -3000 lekë për kategoritë A1 - A2 dhe 4500 lekë për kategoritë B1 - B;
  • Mandat pagesën e tarifës së shërbimit për leje drejtimin - 3500 lekë;
  • Mandat pagesën prej 600 lekë për transferim dosje (vetëm për rastet kur aplikimi kryhet në DRSHTRR të ndryshme nga ajo ku ka vendbanimin).

Nëse leje drejtimin do t'a tërheqë një person tjetër, dorëzon edhe një deklaratë me shkrim ku autorizon personin që do të tërheqë leje drejtimin;

Në përfundim, i merret foto digjitale dhe depozitohet nënshkrimi elektronik (emër + mbiemër), të cilat pasqyrohen në leje drejtimi.

Leje drejtimi tërhiqet pranë sporteleve të shërbimit të DRSHTRR-së ku është bërë aplikimi, pasi identifikohet qytetari me dokument identifikimi.