Regjistrimi i kandidatëve për leje drejtimi
Regjistrimi në autoshkollë.
- Para lëshimit të lejes apo autorizimit bëhet pagesa përkatëse, sipas kategorisë së leje drejtimit. Pagesa mund të bëhet në një bankë të nivelit të dytë ose në zyrat përkatëse të DRSHTRR-së.
- Tarifat e pagesës duhet të jenë sipas dakordësisë ndërmjet subjekteve që organizojnë autoshkollat (grupet e interesit), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
- Mandat pagesa për përgatitjen e drejtuesve të mjeteve rrugore me motor depozitohet në dosjen e kandidatit për leje drejtimi.
- Datë regjistrimi është data e pajisjes me leje për përgatitjen e njohurive teorike ose me autorizim për përgatitjen e aftësive drejtuese e të sjelljes.
Regjistrimi i kandidatit për zhvillimin e kursit të praktikës
Zyra përkatëse e DRSHTRR-së, pas dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara në nenin 311 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 153, datë 7.4.2000, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, miraton regjistrimin e kandidatit në kursin e përgatitjes teorike, pasi shqyrton plotësimin e kritereve, si më poshtë:
Për Kandidatin
- Të plotësojë kërkesat e moshës minimale dhe maksimale, në varësi të kategorisë së leje drejtimit, siç përcaktohet në dispozitat e ligjit nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe lidhjen 1 të këtij udhëzimi, për moshën maksimale;
- Të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente, për ndalim pajisje të kandidatit me leje drejtimi;
- Të jetë i pajisur me kategorinë e duhur të leje drejtimit, që mundëson kalimin në kategorinë e leje drejtimit;
- Të mos jetë në proces përgatitje teorike për kategori tjetër;
- Të mos jetë në proces përgatitjeje praktike për asnjë kategori tjetër, përveç kategorisë “AM”, “A1”, “A2” dhe “A”;
- Të ketë minimalisht një pikë nga gjendja e pikëve, si dhe të mos ketë leje drejtimi të hequr.
Për Autoshkollën
- Të ketë licencë të vlefshme për kategorinë që kërkohet;
- Të ketë drejtues teknik me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);
- Të ketë mësues teorie (mësuesi i teorisë mund të jetë njëkohësisht dhe drejtues teknik), si dhe të jetë:
- I punësuar me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);
- Me dëshmi aftësie profesionale, të vlefshme.
- Në rast se kontrata e punës përfundon brenda periudhës së zhvillimit të kursit të teorisë, autoshkolla duhet të marrë masat e duhura për mosndërprerje të procesit mësimor.
- Këto kushte duhet të jenë të vlefshme për çdo ditë përgatitje të kandidatit.
- Për çdo ndryshim, përfaqësuesi ligjor i autoshkollës duhet të njoftojë me shkrim DRSHTRR-në për marrjen e masave të nevojshme. Në përfundim të këtij miratimi DRSHTRR-ja lëshon leje për përgatitjen e njohurive teorike të vlefshme për provën e teorisë për 6 muaj nga data e lëshimit të saj.
Transferimi i regjistrimit të kandidatëve
Procedurat që ndiqen për kandidatët për drejtues mjeti kur ata transferohen nga një autoshkollë në një tjetër, kur aktiviteti i së parës është pezulluar ose ndërprerë, si dhe në rastet e zgjidhjes së kontratës midis kandidatit dhe autoshkollës, kur kandidati ndryshon vendbanim ose me kërkesë të kandidatit me arsye të justifikuara, pasi të jetë njoftuar autoshkolla nga DRSHTRR-ja, janë si më poshtë:
- Në rastin kur kandidatët e regjistruar nuk e kanë përfunduar ciklin e plotë të përgatitjes teorike, lejet ekzistuese anulohen dhe kandidatët pajisen me leje të reja, sipas regjistrimeve të autoshkollës tjetër dhe do të fillojnë kursin e përgatitjes teorike në autoshkollë tjetër, nga e para. Certifikata mjekësore e kandidatit duhet të jetë e vlefshme;
- Në rastin kur kandidatët e regjistruar në autoshkollë kanë kryer ciklin e plotë të përgatitjes teorike dhe nuk janë marrë në prova, ose janë marrë në prova dhe nuk kanë fituar provën e teorisë, kandidatët do të vazhdojnë serinë e provave të teorisë, të pakryera;
- Në rastin kur kandidatët e regjistruar në autoshkollë janë shpallur “fitues” në “provat e kontrollit të njohurive teorike”, ose janë regjistruar dhe nuk e kanë përfunduar ciklin e plotë të përgatitjes praktike, autorizimet ekzistuese, anulohen, dhe kandidatët pajisen me autorizime të reja, sipas regjistrimeve të autoshkollës tjetër dhe do të fillojnë kursin e përgatitjes praktike nga e para;
- Në rastin kur kandidatët e regjistruar nuk e kanë përfunduar ciklin e plotë të përgatitjes praktike, lejet ekzistuese anulohen dhe kandidatët pajisen me leje të reja, sipas regjistrimeve të autoshkollës tjetër dhe do të fillojnë kursin e përgatitjes praktike në autoshkollë tjetër, nga e para. Certifikata mjekësore e kandidatit duhet të jetë e vlefshme;
- Në rastin kur kandidatët e regjistruar në autoshkollë kanë kryer ciklin e plotë të përgatitjes praktike dhe nuk janë marrë në prova për verifikimin e aftësive të sjelljes ose janë marrë në prova dhe nuk kanë fituar, kandidatët do të vazhdojnë serinë e provave për verifikimin e aftësive drejtuese e të sjelljes, të pakryera;
- Lejet dhe autorizimet e reja që lëshohen pas anulimit të lejeve apo autorizimeve të vjetra, lëshohen pas kryerjes së pagesave përkatëse.
Pagesat për regjistrimet e mëparshme nuk kthehen.
Leje drejtimi për mjetet me kuti Shpejtësie Automatike
Leje drejtimit për kambio automatike
Marrja e leje drejtimit për mjetet me kuti shpejtësie automatike bëhet nëpërmjet provës praktike me mjete me kuti shpejtësie automatike dhe lejon vetëm drejtimin e mjeteve të pajisura me kuti shpejtësie automatike. Në leje drejtimin e marrë, përbri kategorisë, shënohet kodi 78, sipas kodeve të harmonizuara të “BE”.
- Kalimi nga një kategori leje drejtimi me kodin 78 në një kategori leje drejtimi me kuti shpejtësie manuale, brenda së njëjtës kategori, bëhet në autoshkollë me anë të kursit të përgatitjes praktike dhe provës praktike.
- Me fitimin e njërës nga kategoritë e leje drejtimit “A1”, “A2”, “A”, me kuti shpejtësie manuale, automatikisht, leje drejtimet edhe për dy kategoritë e tjera bëhen leje drejtimi mjeti me kuti shpejtësie manuale;
- Drejtuesi i mjetit që zotëron njërën nga kategoritë “B”, “C”, “D” apo nënkategoritë e tyre të pajisur me kodin 78, kur fiton njërën nga kategoritë apo nënkategoritë me kuti shpejtësie manuale, ka të drejtën e drejtimit të mjeteve me kuti shpejtësie manuale për kategoritë apo nënkategoritë përkatëse dhe të atyre më të ulëta.
Paraqitja e kandidatëve për prova teorie dhe provimi i teorisë
Paraqitja e kandidatëve për prova
Sektori përkatës i DRSHTRR-së publikon grafikun e marrjes në prova, sipas autoshkollave dhe me orare të përcaktuara.
Grafiku hartohet mbi bazën e kërkesave të bëra nga drejtuesit teknikë të autoshkollave dhe të kapaciteteve të DRSHTRR- së.
Procedurat e hartimit dhe e publikimit të grafikut përcaktohen nga DPSHTRR-ja.
Kandidatët duhet të paraqiten në prova me dokumentin e identifikimit dhe me lejen apo autorizimin përkatës.
Nënshtetasit e huaj duhet të paraqesin pasaportën, lejeqëndrimin ose kartë legjitimiteti për trupin diplomatik dhe lejen apo autorizimin përkatës.
Provimi i teorisë:
Provimi i teorisë është i informatizuar. Numri i pyetjeve, koha maksimale e zhvillimit të provës së teorisë dhe gabimet e lejuara janë, si më poshtë:
- Për leje drejtimi të kategorisë “AM” – 30 pyetje, 30 minuta, 3 gabime;
- Për leje drejtimi të kategorisë “A1”, “A2”, “B1” dhe “B” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
- Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “AM” në leje drejtimi të kategorisë “A1”, “A2”, “B1” dhe “B” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
- Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “B” në leje drejtimi të kategorisë “C1”, “C” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
- Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “B” në leje drejtimi të kategorisë “D1”, “D” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
- Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “C” në leje drejtimi të kategorisë “D1”, “D” – 10 pyetje, 10 minuta, 1 gabim;
- Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “D” në leje drejtimi të kategorisë “C1”, “C” – 10 pyetje, 10 minuta, 1 gabim;
- Për provimin e kualifikimit për fitimin e pikëve të humbura – 30 pyetje, 30 minuta, 3 gabime.
Paraqitja e kandidatëve për prova praktike dhe provimi i aftësive drejtuese të sjelljes
- Kandidati ka në dispozicion 6 muaj për fitimin e provimit të praktikës, duke filluar nga data e lëshimit të autorizimit përkatës;
- Vendi i provës të praktikës për të vlerësuar manovrat e veçanta bëhet në një terren të përshtatshëm për kryerjen e këtyre manovrave. Vendi i provës për të vlerësuar sjelljen në trafik duhet të bëhet në rrugë jashtë zonave të banuara, në rrugë interurbane dhe autostrada (ose të ngjashme), si dhe në të gjitha llojet e rrugëve urbane (zona banimi, zona ku lejohet shpejtësia prej 30 dhe 40 km/orë, rrugë urbane kryesore), të cilat duhet të përfaqësojnë lloje të ndryshme të vështirësisë. Gjithashtu, është e përshtatshme që prova të zhvillohet në kushte të ndryshme të trafikut;
- Prova e parë e praktikës nuk mund të jetë më parë se data e përfundimit të programit të praktikës. Llogaritja e kësaj date bëhet duke filluar nga data e lëshimit të autorizimit për praktikë dhe duke shtuar ditët kalendarike të përcaktuara.
- Kandidati lejohet të japë deri në 5 herë provimin e provës praktike, jo më afër se 10 ditë kalendarike nga njëra provë në tjetrën. Në rast se kandidati nuk e fiton provimin e praktikës me paraqitjen e tij deri në 5 herë prova praktike ose kalohet afati i vlefshmërisë së autorizimit të praktikës, atëherë kandidati duhet të rifutet në provimin e praktikës, pa e përsëritur kursin e teorisë, brenda afatit njëvjeçar të vlefshmërisë. Para çdo riprovimi bëhet pagesa e shërbimit për riprovim;
- Kandidati në momentin e provimit të praktikës duhet të paraqitet me kartën e identitetit ose pasaportë dhe autorizimin përkatës;
- Për kategorinë “B”, kandidati duhet të paraqesë dokumentin e firmosur nga instruktori i praktikës, për kryerjen e ushtrimit të praktikës prej 6 orësh, siç përcaktohet në lidhjen 4 të Udhëzimit të MIE-së nr. 9, datë 14.04.2022 “Mbi aktivitetin e autoshkollave”.
Kohëzgjatja e provimit të aftësive drejtuese dhe të sjelljes
Kohëzgjatja e provimit është:
- Për leje drejtimi të kategorisë “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “BE”, “B” me kodin
96–25 minuta; - Për leje drejtimi të kategorisë “C1”, “C1E”, “C”, “CE”, “D1”, “D1E”, “D”, “DE” –
45 minuta.
Kohët e përmendura më lart nuk përfshijnë kohën përgatitore për kandidatin, automjetin, kontrollin teknik të automjetit me ndikim për sigurinë rrugore, manovrat e veçanta dhe shpalljen e rezultatit të testit praktik.
Për leje drejtimi të kategorive “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “C1”, “C”, “D1”, “D”, do të kryhen prova praktike sipas autorizimit përkatës (“AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “C1”, “C”, “D1”, “D”) dhe lidhjes 4 të Udhëzimit të MIE-së nr. 9, datë 14.04.2022 “Mbi aktivitetin e autoshkollave”.
Provimi i praktikës për leje drejtimet e kategorisë “BE”, “B” me kodin 96, “C1E”, “CE”, “D1E”, “DE”, bëhet në dyja faza. Në fazën e parë rimorkio është e ndarë nga mjeti. Kandidati pyetet për lidhjen e rimorkios dhe provohet për lidhjen praktike të saj. Në fazën e dytë zhvillohet prova e aftësisë drejtuese e të sjelljes.
Instruktori i praktikës duhet të jetë prezent në mjet gjatë ushtrimit të provave të praktikës, përveç mjeteve të kategorisë “AM”, “A1”, “A2” dhe “A”.